Qëllimi i organizimit të kësaj konference është të diskutohen arritjet e deritanishme në tregtinë e lirë mes vendeve anëtare të CEFTA, sfidat e ardhshme në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, hapat që duhen ndërmarrë për lehtësimin e tregtisë dhe transportit, pritshmëritë në bashkëpunimin rajonal etj. 

Sot në mjediset e Hotel Tirana u hap Konferenca 2-ditore Ndërkombëtare “CEFTA, 10 vjet tregti e lirë, sfidat dhe perspektiva”, e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Qëllimi i organizimit të kësaj konference është të diskutohen arritjet e deritanishme në tregtinë e lirë mes vendeve anëtare të CEFTA, sfidat e ardhshme në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, hapat që duhen ndërmarrë për lehtësimin e tregtisë dhe transportit, pritshmëritë në bashkëpunimin rajonal etj. Gjithashtu do diskutohen në panele të veçanta dhe çështje që kanë të bëjnë me dialogun publik-privat, rolin e pjesëmarrjes së biznesit privat në zhvillimin e sektorëve ekonomikë, turizmi dhe roli i këtij sektori si një mekanizëm për të nxitur zhvillimin ekonomik etj.

Fjalën e hapjes e mbajti Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, e cila theksoi se, CEFTA është një marrëveshje që mbështetet në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Bashkimit Europian. Shqipëria si vend anëtar i CEFTA zbaton me rigorozitet protokollin për lehtësimin e tregtisë me vendet anëtare të CEFTA-s duke filluar nga: transparenca në ligjet, rregullat dhe procedurat e tregtisë, shkëmbimi elektronik i dokumenteve që shoqërojnë mallrat, njohje automatike e dokumentave dhe testeve laboratorike; unifikimi i orareve në pikat e kufirit etj;

Konferencën e përshëndeti dhe Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha; kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, znj. Majlinda Bregu dhe drejtorja e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, znj. Tahseen Sayed.

Më poshtë fjala e Ministres Ekonomi në këtë konferencë:

Të nderuara zonja paneliste! Sot është një ditë e veçantë. Kishim menduar gjatë, që 10- vjetori i CEFTA-s kishte nevojë për një aktivitet të tillë, për t’u grumbulluar të gjithë bashkë dhe për të bërë disa reflektime se çfarë ka ndodhur me tregtinë e lirë në Shqipëri në këto 10 vite. Momenti kur vendosëm të organizonim një konferencë të tillë, ishte një prezantim që bëmë përpara Komisionit Parlamentar të Integrimit. Duke diskutuar me kryetaren e këtij komisioni, zonjën Majlinda Bregu, gjykuam se kemi nevojë për të reflektuar bashkërisht se çfarë ka ndodhur në këto 10 vjet. Erdhëm në këtë konferencë për të prezantuar disa gjetje, për të kuptuar që analiza e tregtisë nuk bëhet e vetme, ajo bëhet së bashku me akademikët dhe për të kuptuar se përveç tregtisë hapja i takon edhe shërbimeve, edhe iniciativave të tjera për të cilat rajoni ka punuar fort.

Kur flasim për Bashkimin Europian, kemi parasysh disa parime bazë që e kanë bërë BE-në një territor që duhet ta ndjekim si shembull. Për këtë arsye respekti për të drejtat e njeriut dhe lirinë njerëzore, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, toleranca dhe solidariteti mes popujve mbeten pa diskutim shtyllat bazë të parimeve të Europës së Bashkuar. Sipas kësaj filozofie, edhe Ballkani Perëndimor kërkon pa diskutim të bazojë prosperitetin e tij në këto vlera, duke shprehur qartë vullnetin dhe bindjen e tij në çdo angazhim të ndërmarrë. Vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë histori dhe qëllime të përbashkëta. Vitet e fundit kanë treguar se më shumë solidaritet, tolerancë dhe bashkëpunim, janë rruga e vetme për të ecur drejt progresit, zhvillimit social- kulturor dhe ekonomik në rajon.

Ne shqiptarët besojmë se, procesi i integrimit është mekanizmi më i mirë, për të ndërtuar një Shqipëri me standarde, ndaj edhe rekomandimin pozitiv e shohim si një tjetër hap në këtë rrugë pa kthim pas. Jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë për të bërë, por nga ana tjetër të bindur se vetëm përmes këtij procesi mund të arrijmë të konsolidojmë demokracinë dhe të forcojmë shtetin e së drejtës në vendin tonë. Ndaj në rrugën e gjatë dhe të vështirë të tranzicionit drejt një ekonomie funksionale tregu, Shqipëria ka shënuar rezultate të rëndësishme, duke u përballuar njëkohësisht edhe me një sërë sfidash. Padyshim që rritja ekonomike nuk mund të shihet e ndarë nga institucionet që përforcojnë demokracinë, nga një ekonomi tregu që garanton një klimë të mirë biznesi.

Në kuadër të integrimit rajonal, Shqipëria fillimisht u përfshi në marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë me vende të rajonit të Europës Juglindore (SEE), të cilat më tej konvergjuan në marrëveshjen CEFTA e nënshkruar në 19 dhjetor 2006, në Bukuresht. Ky angazhim tashmë është në përvjetorin e 10-të të tij. Përveç kësaj, për Shqipërinë ky është edhe viti i 10-të i nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian (BE). Në këtë këndvështrim CEFTA dhe MSA mund të konsiderohen pa dyshim edhe si procese komplementare në integrim. CEFTA është një marrëveshje që mbështetet në parimet e OBT-së dhe BE-së.

PËRFITIMET CEFTA PËR RAJONIN

Kooperimi ekonomik rajonal nëpërmjet CEFTA, solli përfitime për të gjitha palët: (i) CEFTA është mënyra më e mirë për të mobilizuar mjetet ekonomike për të arritur stabilizimin e qëndrueshëm politik dhe ekonomik të të gjitha vendeve të rajonit, (ii) CEFTA është një mjet i fuqishëm ekonomik për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve pjesëmarrëse. Tregtia rajonale ka provuar të jetë më elastike ndaj krizës ekonomike se sa tregtia me BE-në. Rënia e flukseve tregtare rajonale ishte më e ulët, rimëkëmbja erdhi më shpejt. Për më tepër, vetëm një treg që funksionon si CEFTA mund të rrisë avantazhet konkurruese të rajonit si tërësi për të tërhequr me IHD, (iii) CEFTA përfaqëson një "fushë trajnimi" të shkëlqyer për pjesëmarrje të suksesshme në të ardhmen në tregun e BE-së.

SI SHKUAN SHKËMBIMET TREGTARE NË PËRGJITHËSI DHE ATO TË SHQIPËRISË NË VEÇANTI:

Zhvillimet integruese rajonale përgjatë këtyre viteve janë shoqëruar me rezultate të rëndësishme në drejtim të lehtësimeve tregtare, të nisura me heqjen e pengesave tarifore për produktet industriale e më pas edhe ato bujqësore.

Të dhënat e 10 vjeçarit sipas modelit Egger dhe Nilsson, dëshmojnë në përgjithësi se rajoni i Ballkanit Perëndimor karakterizohet nga nivele relativisht të larta të hapjes tregtare. Ecuria e indeksit të hapjes tregtare në vitet e fundit, ka qenë kryesisht në rritje. Trendi pëson thyerje në vitin 2008 për shkak të krizës ekonomike financiare. Megjithatë, indeksi i hapjes tregtare për disa nga vendet, përfshirë edhe Shqipërinë, është nën mesataren e rajonit, duke shfaqur qartë domosdoshmërinë për vazhdimin e reformave në funksion të rritjes së hapjes tregtare me botën.

Ky zhvillim rrjedh si rezultat i dy proceseve të rëndësishme. Së pari, integrimi evropian nëpërmjet marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit siguroi një kuadër të liberalizimit tregtar, që bëri të mundur lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve. Gjithashtu, ky proces krijoi edhe kornizën e bashkëpunimit tregtar rajonal, nëpërmjet CEFTA, me qëllim implementimin e një zone të tregtisë së lirë midis vendeve në tranzicion, kryesisht pjesë e BP.

Në vitet e fundit, partneri kryesor tregtar i CEFTA-s ka qenë Bashkimi Evropian. Në vitin 2013, CEFTA ka realizuar 64% të eksporteve dhe 33% të importeve me BE-në. Në vitin 2015 rreth 70% e eksporteve janë realizuar me vendet e BE-së, ndërsa në importe partnerë të tjerë të rëndësishëm konsiderohen Rusia (8%) dhe Kina (10%). Lidhur me eksportet, vendet e CEFTA-s janë të varura nga tregjet evropiane, element i cili nxit për përpjekje të mëtejshme drejt integrimit me Bashkimin Evropian. Eksportet e CEFTA-s varen në një shkallë të lartë nga kërkesa agregate e BE-së. Një ndryshim i lehtë në nivelin e PBB-së, të kësaj zone rezulton në një ndryshim të madh në eksportet e CEFTA (Sanfey, Milatović, Krešić,).

Procesi i dytë i rëndësishëm i vendeve në tranzicion lidhet me hapjen ndaj flukseve të kapitalit dhe investimeve të huaja, proces i cili ndihmoi në krijimin e linjave të reja tregtare për industri të veçanta, dhe më tej në rritjen e vëllimit tregtar në rajon. Në rastin e Shqipërisë hyrjet vjetore të IHD-ve janë rritur ndjeshëm që prej vitit 2008, mesatarisht me rreth 1 bilion USD në vit për periudhën 2008 – 2015. Periudha aktuale, në veçanti, ka një fluks më të lartë të IHD-ve. Mesatarja e hyrjeve tremujore të IHD-ve në periudhën T1 - 2010 – T3 - 2013 ishte 187 milion Euro, ndërkohë që mesatarja tremujore e hyrjeve të IHD-ve për periudhën T4 - 2013 – T4 - 2015 ishte 228 milion Euro. Për vitin 2015 të ardhurat nga IHD-të kanë patur një rritje në vlerë prej 12 milion Euro, në krahasim me vitin 2014 . Në fund të vitit 2015 rezultuan që janë regjistruar 1038 ndërmarrje me kapital 100% të huaj.

Shqipëria si vend anëtar i CEFTA zbaton me rigorozitet protokollin për lehtësimin e tregtisë me vendet anëtare të CEFTA-s duke filluar nga: transparenca në ligjet, rregullat dhe procedurat e tregtisë, shkëmbimi elektronik i dokumenteve që shoqërojnë mallrat, njohje automatike e dokumentave dhe testeve laboratorike; unifikimi i orareve në pikat e kufirit etj;

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e Ballkanit Perëndimor janë rritur me rreth 4,9 herë përgjatë 10 viteve të fundit; në vitin 2015 shkëmbimet tregtare me rajonin zunë 9,6% të shkëmbimeve tregtare të vendit, pra 2.4 herë më të LARTA se 2006-ta.

Eksporti në CEFTA, është rritur 6 herë në 10 vite; ndërsa importi është rritur 5.7 herë në 10 vite.

Eksporti në CEFTA është bërë 2 herë më konkurues.

Kështu:

Në CEFTA – për 1000 ALL Import 840 ALL Eksport

Në botë – për 1000 ALL Import 470 ALL Eksport

Në BE ­- për 1000 ALL Import 544ALL Eksport

Partneri kryesor në eksportet e Shqipërisë me rajonin është Kosova, me një peshë kundrejt eksporteve totale ndaj rajonit prej 60,5% në 2015, nga 50,2% në 2006.

Nëse hedhim një vështrim në tregtinë brenda CEFTA-s (Intra-CEFTA), ndjehet nevoja për integrim më të gjerë. Në vitin 2015, vetëm 17 % e eksporteve dhe 10% e importeve kryhet midis vetë vendeve të CEFTA-s. Si rrjedhim, më pak barriera dhe më shumë lehtësi do të kontribuojnë në rritjen e tregtisë në CEFTA.

ÇFARË KA ARRITUR EKONOMIA SHQIPTARE

Reformat strukturore dhe masat e ndërmarra gjatë 3 viteve të fundit po japin efekte pozitive. Nga burime të brendshme dhe të huaja vlerësohet se ekonomia është në rritje të qëndrueshme, parashikohet që në vitin 2017 të ketë PBB me rritjen 3,8%, më të lartë në rajon edhe pse nuk mjafton. Banka Botërore dhe FMN e parashikuan këtë në nëntor të këtij viti. Edhe “Progres Raporti i BE”, i tetorit të këtij viti, konfirmon për reformat e marra nga qeveria shqiptare në mbështetje të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Financat publike nuk janë më në krizë të thellë, dhe borxhi publik nuk është më në rritje kërcënuese, por ka nisur të bjerë, edhe pse nuk mjafton. Vetëm pak ditë më parë Moody’s bëri vlerësimin për Shqipërinë duke nënvizuar se vendi është përimirësuar falë disiplinës fiskale dhe pritet që deficiti buxhetor të zbresë me 2,5 % në 2016 më i ulëti në dy dekada.

Konsumi final i popullatës, gjatë viteve të fundit, ka ardhur në trend rritës. Siç dëshmon “Bilanci i Pagesave” në tremujorin e dytë 2016 u rrit me 4% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2015. Ndërsa konsumi final i qeverisë në tremujorin e dytë 2016 u rrit me 1,68% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2015. Ky model ekonomik tregoi nga të dhënat e datës 17 nëntor të këtij viti të INSTAT se shpenzimet për konsum të NJEF sipas decileve në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014, ka pasur ulje të shpenzimeve të 10 përqindëshit me shpenzime më të larta dhe rritje të shpenzimeve përsa i përket 90 përqindëshit tjetër të tyre. Si rrjedhim raporti i decileve paraqet një ulje të pabarazisë përgjatë dy viteve.

Taksat mbi të ardhurat nga rroga apo biznesi janë vendosur të tilla që sa më pak të fitosh, aq më pak paguan. Pasi kemi kaluar 140 milionë dollarë në tre vjet nga buxheti i shtetit, në buxhetet e punonjësve në shtet, apo në privat, përmes uljes së taksave, buxheti i vitit 2017 lejon kalimin dhe 100 milionë dollarë të tjera nga buxheti i shtetit në buxhetin e pensionistëve dhe të familjeve të punonjësve tanë, duke siguruar rritjen më të madhe të rrogave e pensioneve në një vit të vetëm buxhetor.

Edhe në sektorin energjitik falë regullave të reja të administrimit jemi në gjendje të investojmë çdo vit më shumë për të rimëkëmbur rrjetin tonë të degraduar elektroenergjitik, dhe për ta bërë pjesë të projekteve të nderlidhjes rajonale. Reforma arsimore ndaloi degradimin arsimor të shoqërisë dhe vuri baza për të formuar profesionistës e gjeneratës tjetër, por dhe më shumë rihapi rrugën e arsimit cilësor profesional, sipas zejeve.

ÇFARË ASPIROHET MË TEJ NGA CEFTA

“Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit rajonal ekonomik si nga pikëpamja e politikës, por edhe përmes mbështetjes direkte financiare”, tha drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Genoveva Ruiz Calavera, në takimin e Podgoricës në 9 dhjetor 2016. Por çfarë duhet të bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor për të bërë të mundur realizimin e ambicjes për një Zonë Ekonomike Rajonale.

Për për të arritur këtë, së pari duhet parë si çështje me prioritet zbatimi sa më i shpejtë i marrëveshjes së CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë, së dyti, është e rëndësishme të përfundojnë sa më shpejtë - mundësisht para Samitit 2017 në Itali- negociatat e CEFTA-s për liberalizimin e tregtisë në shërbime. Së treti, është e rëndësishme që palët e CEFTA-s të bien dakord me masat e mëtejshme që mund të përfshijnë sipas këndvështrimit të BE, harmonizimin e operatorëve ekonomik kombëtarë të autorizuar, njohjen reciproke të diplomave dhe kualifikimeve profesionale për profesionet e zgjedhura, një rrjet të plotë të marrëveshjeve të kalimit kufitar, për të siguruar implementimin e axhendës së ERP 2016-2018 dhe mbështetje për rritjen e shkëmbimeve B2B. Angazhimet rajonale dhe këto reforma të ndërrmarra synojnë pikërisht orientimin drejt një modeli të ri ekonomik që mbështetet në prodhimin vendas dhe punësimin real. Nëpërmjet rritjes së produktivitetit dhe inovacionit, mbështetur edhe nga potenciali i tregtisë dixhitale, strukturat prodhuese përfitojnë nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës duke synuar rritjen e eksporteve.

Dinamika e krijuar në këto angazhime ka kontribuar fort në përmirësimin e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Fokusi i këtij procesi qëndron qartësisht në nxitjen e mëtejshme të konektivitetit në termat e transportit, energjisë dhe marrëdhënieve midis njerëzve. Për mbështetjen e ndërlidhjes në energjetikë dhe transport, rol të rëndësishëm luajnë edhe të ashtuquajturat “masa të buta”, zbatimi i të cilave është shumë i rëndësishëm për energjinë e integruar dhe rrjetet e transportit. Në mbarëvajtjen e këtyre angazhimeve mbështetja e Komisionit Europian, Observatorit të Transportit të Europës Juglindore dhe Sekretariatit të Energjisë ka qenë dhe do të jetë e vazhdueshme për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përveç këtyre projekteve madhore, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk mund të mendohet pa praninë dhe angazhimin e rinisë, të cilët do të trashëgojnë dhe vijojnë perspektivën evropiane. Bashkëpunimi mes të rinjve (Youth Cooperation) në vendet e rajonit tonë është një vlerë e shtuar si në shkëmbimin e ideve ashtu dhe në shkëmbimin e vlerave. Për të rritur bashkëpunimin rinor rajonal, vendet e Ballkanit kanë ngritur në Tiranë Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) me asistencën e Zyrës Franko-Gjermane për Rininë (FGYO). Kjo zyrë do të përmirësojë kushtet për bashkëpunimin rajonal rinor, marrëdhëniet dhe komunikimin mes të rinjve, rritjen e kapaciteteve të tyre brenda Ballkanit Perëndimor në funksion të promovimit të vlerave dhe parimeve demokratike dhe të një të ardhmeje të përbashkët europiane.

Prandaj CEFTA ka një rol shumë të rëndësishëm në mënyrën se si ne e shikojmë të ndërlidhur Ballkanin, se si ne e shikojmë rritjen ekonomike dhe si mendojmë që duhet të punojnë bizneset me njëri-tjetrin në këtë hapësirë rajonale ekonomike.

Kontaktet

  • "Bulevardi Dëshmorët e Kombit", Tiranë
  • 04 220 02 45
    04 244 80 21
  • Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.
Faqja zyrtare e Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë u dizenjua me mbështetjen e projektit të USAID-it për Rritjen Ekonomike Rajonale (REG).

                                                     
     

Përditësohuni

Rreth Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë

Template Settings

Color

For each color, the params below will be given default values
Green Dark_Green Oranges Yellow

Body

Background Color
Text Color

Header

Background Color

Spotlight5

Background Color

Footer

Select menu
Google Font
Body Font-size
Body Font-family
Direction